Diskutimet

0
254
diskutimet

Diskutimet është faqja ku autori i blogut Arsim Jonuzi shfaq diskutime, gjegjësisht trajtesa, shpjegime e tëhollime të ndryshme.

Diskutimi 1 nga rubrika ‘Diskutimet’ – zgjidh vs. zgjedh

Disa herë më ka rastisur të jetë përdorur ndokund ‘zgjidh’ në vend se ‘zgjedh’. ‘Zgjidh’, si kuptim më i shpeshtë dhe më gjithëpërfshirës, do të thotë të gjesh zgjidhje për një çështje. P.sh.: zgjidh detyrat, zgjidh problemin, zgjidh nyjën etj. Ndërkaq, ‘zgjedh’, po kështu si kuptim më i shpeshtë dhe më gjithëpërfshirës, do të thotë të veçosh një gjë nga të tjerat. P.sh.: zgjedh profesionin, zgjedh rrugën më të mirë, zgjedh një libër për ta lexuar tash etj.

Arsim Jonuzi
6 janar 2017

Diskutimi 2 nga rubrika ‘Diskutimet’ – tre vs. tri

Shpeshherë po përdoren gabimisht, e ndonjëherë njëri prej këtyre numërorëve (tri) nuk po përdoret fare. Përskaj tezave të ndryshme që bëhet fjalë për liri të përdorimit të cilitdo prej tyre, si zëvendësues të tjetrit, drejtshkrimi i tanishëm thotë se numërori 3 është i vetmi numëror ambigjen (i dygjinishëm). Pra, ‘tre’ përdoret në bashkëvajtje me emra të gjinisë mashkullore – tre djem, tre lapsa, tre faktorë; ndërkaq, ‘tri’ përdoret në bashkëvajtje me emra të gjinisë femërore – tri shkolla, tri fletore, tri vajza.

Arsim Jonuzi
13 janar2017

Diskutimi 3 nga rubrika ‘Diskutimet’ – fryt vs. frutë

Dallimi ndërmjet fjalëve “fryt” dhe “frutë” është shumë i vogël. Mbase ky është shkaku pse përzihen aq shpesh këto dy fjalë. Fjala “fryt” ka tri kuptime. Asgjëmangut, po e marrim parasysh kuptimin që thotë se fryt është rezultati që arrihet me një punë a veprimtari. Në anën tjetër, “frutë” është kokërr me tul e me lëng të ushqyeshëm e të këndshëm që hahet pas buke. Pra, sinonimi i fjalës “fryt” është “rezultat”, kurse i fjalës “frutë” është “pemë”.

Arsim Jonuzi
23 gusht 2017

Diskutimi 4 nga rubrika ‘Diskutimet’ – emigrim vs. imigrim

Në rastin e fjalëve “emigrim” dhe “imigrim” me të vërtetë kemi një ngjashmëri të madhe, madje në nivel sinonimiteti. Fjalori për fjalën “emigrim” jep këtë përufizim: Largim nga atdheu im për shkaqe politike, ekonomike etj. dhe vendosje e përkohshme a e përhershme në një vend të hua, ndërkaq për fjalën “imigrim” thotë: Ardhje e vendosje në një vend të huaj për të jetuar e punuar përgjithmonë aty, zë vend në dhe të huaj. Pra, të përmbledhim me pak fjalë, “emigrim” ka të bëjë me shikimin kah atdheu, kurse “imigrimi” me shikimin kah vendi i huaj.

Arsim Jonuzi
30 gusht 2017

Diskutimi 5 nga rubrika ‘Diskutimet’ – Fjala “via” po përdoret gabimisht!

Fjala “via” po përdoret dendur kur po synohet të tregohet se është duke shkuar dikund, për shembull në Zvicër, dhe e shkruan “via Zvicra”. Fjala “via” ka prejardhje latine dhe njëkohësisht është përvetësuar nga gjuhët neolatine dhe ka marrë përkufizimin “nëpërmjet” apo “përmes”.

Pra, në vend se të thonë “to Zvicër”, që shqip i bie “drejt Zvicrës”, ata po thonë “via Zvicra”, që shqip i bie përmes Zvicrës”. Kjo vlen nëse duan të shprehen në gjuhë të huaj, përndryshe shumë lehtas mund të shprehen shqip “drejt Zvicrës”.

Arsim Jonuzi

6 shtator 2017

Diskutimi 6 nga rubrika ‘Diskutimet’ – përballur vs. përballuar

Ndonëse në dukje dallimi është vetëm një “a”, në thelb është më shumë se kaq. Gjersa “përballem” do të thotë “i dal përpara” e “merrem me…”, “përballoj” do të thotë “e shlyej atë që kam përpara”, gjegjësisht “e mund, e mposht, e mbaroj e ia dal mbanë”.

Arsim Jonuzi

1 nëntor 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here