2. Mirësjellja virtuale

0
528
2. Mirësjellja virtuale

Të nderuar komunikues të botës virtuale! Në projektin “Mirësjellja virtuale” do të mundohemi të bëjmë fushata për tentim për risocializim të përdoruesve të mjeteve virtuale (rrjeteve sociale, celularëve etj.).

Rregulli 1 nga Mirësjellja virtuale – Një porosi me një të dërguar

Përdoruesit e botës virtuale (Facebook, SMS, Viber etj.), shpeshherë, një porosi që e kanë për ta dërguar, e dërgojnë në më shumë se një porosi. Kjo është neveritëse. Për shembull, në vend se të shkruajnë:

“I nderuar mik imi,
Po të shkruaj në lidhje me atë çështjen për të cilën biseduam dje…”

Ata shkruajnë:

“I nderuar mik imi”
“Po të shkruaj”
“Në lidhje”
“Me atë çështjen”
“Për të cilën”
“Biseduam”
“Dje”

Dhe, kështu, ky komunikim/bisedë bëhet neveritës për pranuesin. Ajo çfarë duhet bërë është të shënohet e gjithë ajo që ka për t’u thënë dhe pastaj të dërgohet porosia. Kjo vlen njësoj për në Facebook, SMS, Viber…

Arsim Jonuzi, 17.11.2013

Rregulli 2 – Shënimi i porosisë me shkronja të vogla

Përdoruesit e botës virtuale (Facebook, SMS, Viber etj.), disa herë, sidomos statuset në Facebook, i shënojnë të gjitha me shkronja të mëdha. Sikur të bënim analogji, kjo i vjen sikur bërtitje! Është e kuptueshme kur njerëzit kanë emocione apo shprehin diç eksituese ose ngjashëm, mirëpo, si parim, është e patolerushme vazhdimisht të lexojmë statuse, shkronjat e të cilave janë të gjitha të mëdha.

Arsim Jonuzi, 23.11.2013

Rregulli 3 – Pa thënë “A je këtu?”

Një nga rregullat që duhet doemos të zbatohet nga përdoruesit e botës virtuale, sidomos, në këtë rast në Facebook & Viber, është të mos pyetet bashkëbiseduesi “A je këtu?”, për vetë arsyen e parë logjike se as njëri e as tjetri nuk janë hapësira fizike, pa të mund të jemi aty apo jo. Apo jo? Ëh? A e keni menduar?

Arsyeja e dytë është se sot të gjithë jemi të lidhur përherë me të dy këto që përmendëm, prandaj ne kemi nevojë ta marrim porosinë dhe nëse jemi aty – e kthejmë; nëse nuk jemi, nuk e kthejmë, derisa ta shohim.

Do të flasim ndonjëherë tjetër në lidhje me kthimin e shpejtë të porosive që na vijnë.

Arsim Jonuzi, 14.12.2013

Rregulli 4 – Mos i etiketo miqtë e tu në Facebook pa nevojë!

Një ndër rregullat që duhet të kemi parasysh gjatë “banimit” tonë në Facebook (e në rrjetet tjera sociale) është edhe çështja e etiketimit të miqve në fotografi. Kjo shkakton bezdi. Vetëm duhet të dalësh në anën e të etiketuarit disa herë dhe do ta vëresh se sa e bezdisshme është kjo gjë.

Është e kuptueshme ndjenja e socializimit virtual dhe nevoja që ndonjëherë të etiketosh ndonjë shok të listës që ke, por kjo duhet të ndodhë sipas nevojës së vërtetë, eventualisht diçka që është e ndonjë rëndësie të madhe për atë që e etiketon.

Arsim Jonuzi, 29.12.2014

Rregulli 5 – Mos bëj “Check-in” pa nevojë!

Po qe se nuk do të kemi një druajtje për sjelljet dhe veprimet tona virtuale, mbase do të bezdisemi nga qëndrimi ynë në Facebook (e në rrjetet tjera sociale). Përndryshe, do të shkëputemi nga shoqërimi me anëtarët e tjerë të pranishëm dhe vetëm sipërfaqësisht do të qëndrojmë miq me ta. A është kjo ideja për se Facebook-u ka bërë këtë platformë apo thjesht pse ne jemi në këtë platformë? Që të shkëputemi pasi të jemi lidhur?

“Check-in-i” është një kënaqësi çasti për atë që e bën atë, por a mund ta themi edhe për ata që e shohin atë? Pra, përderisa nuk ka ndonjë domosdoshmëri në tregimin e vendit se ku je dhe çfarë je duke bërë në të, atëherë mos e bën! Kurseji shokët e tu nga informata të panevojshme! Kurseje edhe veten! Mos harro se tregimi i vazhdueshëm i vendit ku je përshfaq se nuk je i përmbushur me gjendjen që po të rrethon. Sikur, meqë nuk po mundesh ta lumturosh veten, po mundohesh të riarrish atë lumturi me pëlqimin e komentimet e njerëzve/shokëve të tu. Në shikimin e fundit kjo po na e tregon këtë.

Ose gjithë këtë porosi shpërfille, por mund të ndodhë që njerëzit të mos vazhdojnë të të përcjellin më.

Arsim Jonuzi, 27.04.2015

Rregulli 6: Mos u shkruaj njerëzve në orë të vona!

Është e domosdoshme të kemi parasysh privatësinë dhe mosengimin e njerëzve. Kuptohet që ka të bëjë edhe me jetën reale, po sidomos jeta virtuale është bërë më e cenueshme në ditët e sotme. Kësaj cenueshmërie duhet t’ia arnojmë shqyerjet, për të mirën e të gjithëve. Një prej aspekteve të arnimit të cenueshmërisë së botës virtuale është mospengimi në orët e vona.

Mirësjellja e logjikshme që po parashkruajmë këtu do të thoshte që nuk është e udhës t’u shkruajmë njerëzve në orët e vona. Përjashtim bëjnë urgjencat dhe, që përbëjnë kategori të veçantë, ata që janë marrë vesh që komunikimin ta bëjnë në këtë kohë, por – ta shqyrtojmë këtë çështjen e urgjencave – kur urgjencat bëhen shpesh, ato më kalojnë në shprehi. Thelbi i shënimit në fjalë është diskutimi i shprehisë së të shkruarit në orë të vona.

Arsim Jonuzi

3 shtator 2016

Rregulli 7: Mos publiko ushqimet që i ke në tryezë!

Është bërë zakon në rrjetet sociale të publikohen edhe ushqime. Ju ftoj të pajtoheni me këtë shqyrtim: herën e ardhshme kur të bashkëngjitni ushqimin në fotografitë tuaja mendoni se nuk ka kontroll se kush do t’i shohë ato fotografi. Ata mund të jenë fëmijë, të uritur, të varfër etj.

Prandaj, si mënyrë sjelljeje në raport me këtë çështje, fotografia, edhe n’u bëftë, le të bëhet vetëm me njerëzit që gjenden në atë vend, por jo edhe me ushqimet e pijet. Kijeni në konsideratë gjendjen e njerëzve!

Mjaftime Muharemi

28 janar 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here