Trе hapa gdhendjeje

0
82
Tre hapa gdhendjeje

Mbrëmë ndenja me mësuesin tim…
Mbrëmë, te ai, kur nuk pata më ku tjetër…
Mbrëmë, kur m’u kujtua sërish ajo pyetja e vjetër:
A je në atë vend edhe pse ke edhe shumë të tjera
apo se asnjë tjetër nuk të ka mbetur?
E unë përpiva turpin dhe i shkova…
I shkova duke qenë se të gjithë m’u patën tretur.

E ai e di se është kështu.
Megjithatë, nuk ma përmend që prej ditës së parë e tëhu.
Ai pagën e merr për shkak të mbijetimit,
e nuk e kushtëzon me (mos)pranimin e mësimit.

I trokita…
Më dha leje t’i hyja, e unë në shpirt shumë u godita.
Iu sula ta qafoj nga malli që sa e sa kohë më ishte mbledhur.
Më qafoi edhe ai, po aq sa unë nga malli i tretur…

Unë për fjalën e tij te unë,
kurse ai për fjalën e vet drejtuar mua.
Dhe si është e mundur kjo ndoshta po thua?!
Ja, nuk po flas unë, po ja fjalët me të cilat m’u drejtua:

Aq sa toka thahet e qahet për shiun e qiellit,
po aq e më shumë e than e e qan veten qielli për dheun e tokës.
Me qarjen që bën qielli toka përjeton kënaqësi,
kurse sa kohë që tharje përjeton toka, qielli është në qeli.

Pra, ti mund të jesh i lumtur pa diturinë time,
por unë asnjëherë s’jam i lumtur pa diturinë tënde.

Tani eja të ulemi dhe ta qërojmë këtë mbështjellës.
‘Ç’e mirë të pruri këtu?’, më tha me një zë këndellës.
Në fakt, i thashë se më kishte prurë një e keqe.
I thashë se lumturia më ishte heq…

‘Shumë bukur’, brofi ai, mbase për çudinë tuaj, si unë.
E pyeta se si na qenka kjo ‘bukur’, madje ‘shumë’.
E ai ma ktheu se kjo do ulje gjunjë për gjunjë…

HAPI I PARË i gdhendjes është heqja e lumturisë,
se vetëm atëherë të shkon mendja se ka mësues.
Vetëm atëherë pyet se sa ke brenda shpirtit,
e e harron pakëz se sa ke brenda xhepave.
Tek atëherë pyet se pse, e qysh, e tek,
e duhet ta dish se çdo pyetje shkon me përgjigjen çift,
por vetëm duhet pyetur.
E kur je i lumtur me të keqen
pyetjet janë të pableshme – nuk mund t’i blesh
sado para që të kesh.

HAPI I DYTË i gdhendjes është diturimi.
E di edhe ti, mik, se kur ke lumturi s’lyp kurrfarë mësimi.
Se mësimi bëhet për të na e ndryshuar gjendjen.
E më thuaj cili i lumtur dëshiron të ndryshojë?
Cili? Ë? A njeh ndonjë? Po të pyes a njeh ndonjë?

HAPI I TRETË i gdhendjes është rivënia.
E lumturia pas diturisë është si deserti pasi të kryhet ngrënia.
Tek atëherë duhet rikthyer lumturinë
dhe atëbotë pa problem njeriu qëndron i gdhendur.

Dhe kuptohet që gdhendja është proces si jeta.
Nuk përfundon ai proces pa përfunduar ne.
E, përndryshe, ai vazhdon edhe pasi ne të hymë nën dhe.

Atë gdhendjen tënde do ta përmendin të dashurit e tu.
Do të jetojnë sipas saj të gjithë ata që të duan sa je këtu.
Pra, njerëzit të duan sipas asaj që ke jetuar.
Lumturohu pas gdhendjes, po pa u gdhendur mos rri i lumturuar!

Arsim Jonuzi

6 nëntor 2016

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here