Të durosh

0
74
Të durosh

O mik i përvuajtur!
Po e shoh se të paska rënë një gjendje e pakënaqshme.
A me mungim, a me shtim, këtë ti ma thuaj.
Po dije se jashtë këtyre të dyjave askush nuk e bën shpirtin të vuajë.
Pra, o na mungon dikush a diçka që e kemi pasur, po më nuk e kemi,
O na është shtuar diçka a dikush me të cilin të mësuar s’jemi.

I përlotur mik!
Të lutem rri edhe pak, të lutem mos ik!
Të lutem më lër të t’i them edhe disa fjalë,
Edhe disa fjalë që me shumë gjasa do të më duhen edhe mua.
Mund të shkojmë ngado, por jo përtej një të vërtete:
Më zor e këshillojmë veten se të tjerët,
Por çfarë të bëjmë ne të mjerët?!
Kështu Perëndia na ka krijuar, e fatin duhet pranuar.
E fatin ta pranosh do të thotë të jesh i aftë të durosh.

Të merremi vesh që këtu edhe për një punë të rëndësishme shumë:
Nuk detyrohemi të durojmë për një gjendje që mund ta tejkalojmë!
Kur kemi çfarë të bëjmë, durimin e lëmë, gjegjësisht e vëmë në gjumë.
E kur nuk kemi zgjidhje tjetër, durimin do të duhej ta kemi patjetër!

Mik!
Durimi vlen në goditjen e parë na ka porositur i Dërguari i Fundit,
Se që me goditjen e dytë dhe po qe se goditemi më shumë,
Dhimbja normalizohet deri në nivelin sikur kur rrjedh lumë.
Fatmirësisht, durimi nuk është vlerë që na duhet përherë.
Durimi, pra, na duhet në fatkeqësi kur nuk na ngelet asnjë derë.
Durimi na duhet edhe kundër mirëqenies që vjen përmes rrugës pa nder.
Edhe këtu na duhet durim, gjegjësisht për të zbatuar cilindo parim.
E parime nëse nuk kemi, nuk jemi duke e ditur pse jemi…
Në këso rastesh, përndryshe, duhet kthjelluar veten se ku po vemi!

O mik i shpirtit!
Mbase po pyet se sa durim duhet të kesh?
Nuk po flas unë. Ja, po shërbehem me fjalët e të mëdhenjve para nesh:

Duro deri sa të kalbesh, e durimi askë nuk e ka kalbur!
Duro deri sa të vjetrohesh, e durimi veç më të gjallëruar të bën!
Duro deri sa të të lodhet trupi, e durimi ta çlodh shpirtin!
Duro deri sa të thonë për ty se mbeti pa mend, e durimi të zgjuarson!

Bëj durim deri sa të të gëzojë Zoti me shpërblim!

Ki durim në goditjen e parë, siç na porosit i Dërguari i Fundit:
Se po ta dinte robi shpërblimin e durimit,
Gjendje normale do ta dëshironte gjendjen e pikëllimit!

Mos harro, o shpirtbardhë, se kjo botë është çaste-çaste,
Herë është mirë, e herë është keq.
Edhe njëra, edhe tjetra – të dyja janë kaluese,
Gjersa një ditë do të kalojë edhe kjo jetë mashtruese.

Dhe mbase këto fjalë janë të mëdha,
Për t’u thënë nga një i rëndomtë si unë.
Megjithatë, po, është pak paradoksale, po e vërtetë:
Se shpeshherë në jetë veprat i kemi më të mëdha se ne vetë.

Edhe durimi është më i madh se të gjithë njerëzit,
Po kur një njeri është durimtar,
Bëhet më i madh se durimi
Dhe tanimë ky njeri merr vendin e parë…

 

Arsim Jonuzi

9 janar 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here