Për më pak vuajtje

0
604
Për më pak vuajtje

O Mësues, pse vjen vuajtja?

Vuajtja vjen se ia kthen shpinën. Kaq. Shko!
Apo po deshe më gjeras, edhe pak qëndro…

Njerëzve, të gjithëve, u bie kaherë nga një plagë.
Dhe duke u përsëritur gjithandej e gjithëkohej,
Janë bindur të gjithë se nuk ka ikje prej saj.
Nuk ka ikje prej goditjes!
Por goditje ka edhe pas ikjes.
Ike apo jo, ajo të vjen kudo, kurdo, ngado – nëse do…

Asgjëmangut, të gjithë urtarët kanë gjetur një pikë,
që e bartin me vete në trastë, si ta kishin prikë.
Ata së pari kanë bërë një dallim që nuk duhet të të ikë:
Çdokush përjeton goditje, po dikush më pak vuajtje.
Dhe po e rithem shkurtas se goditjeve disa u prijnë.
Ata qajnë para – dhe jo pasi ato goditje t’u vijnë.
Dhe nëse nuk e ke të qartë këtë,
do të jetosh përgjithmonë me më shumë vuajtje.
E nëse je trim ndaj vuajtjes, veç vazhdo tutje!

Mos shkul asnjë flok tani!
Lëre të kaluarën të pushojë në varrat që i ke.
Se çdo prekje e së kaluarës është prekje e varrës.
E asnjë prekje e varrës nuk është lehtësim i barrës.
Asnjë!

Merr një letër, e mos gjetsh shkruaj në tënden lëkurë!
Po the që mund të harrosh vendin e shkruar ta shikosh,
Shkruaje brenda kapakëve të syve, të dyve:
Shënoji goditjet e mundshme që mund të të mëshojnë
Dhe mendoje se të ndodhën, e pastaj sytë do të paralotojnë.
Kështu dhimbjen do ta ndash në gjysmë,
e çdo ndarje është më e dobët se tërësia,
e aty ku rri dobësia – nuk rri cilësia.
Pra, këtë dukuri në të mirën tënde ta shfrytëzosh.
Humbja cilësinë vuajtjes që sasinë lumturisë t’ia shtosh!

Proporcioni është gjithnjë i zhdrejtë këtu:
Sa më shumë cilësi vuajtja, aq më pak sasi lumturia.
Dhe sa më shumë cilësi lumturia, aq më pak sasi vuajtja.

Si për çdo gjendje trupore që përgatitemi paraprakisht,
edhe për shpirtin duhet bërë të njëjtën paralelisht.
“Të konsumoj vitamina se energji do të më nevojitet”
duhet të ndiqet nga si vijon, që pak përflitet:
“Të përgatitem për këtë që mund të më vërtitet”.

Për ta përgatitur shpirtin duhet lodhur mendjen,
por duke përgatitur mendjen – shpirtin nuk duhet lodhur.
Si për çdo gjë tjetër, mesi kërkohet për t’u përdorur.
Mesi i këtyre të dyjave na bën të baraspeshuar,
Sikurse skajet e të cilave na bëjnë të gjallëruar.

Kjo jetë i ngjan i një kodre të thepisur e të pjerrët,
por përgatitjen duhet ta ketë çdo njeri i kthjellët!

 

Arsim Jonuzi

2 gusht 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here