O Mësues, a mos je duke vdekur?

0
217
O Mësues, a mos je duke vdekur

Ha-ha!
Kështu askush nuk më ka pyetur asnjëherë në jetë!
E ti me këtë pyetje shpërfaqe një të madhe të vërtetë!
Ne, në fakt, në këtë botë jemi duke vdekur, asnjëherë duke jetuar!
Kush e thotë ndryshe – që janë shumë – rëndë është duke gabuar…
E mund të thuash: e si kështu?
Shumë thjesht! Nisu nga stërgjyshërit e tu!
Ku janë ata, n’i paç këta të tjerët?
Dhe mos thuaj për ta asnjëherë “ah, ata të mjerët!”
Mos ofshaj asnjëherë, nëse kanë qenë të mirë,
Se pikërisht ata janë duke jetuar të lirë!

A u kuptuam?
Pra, edhe një herë, nëse me mallin tonë për ta u turbulluam:
Ne mund të themi se jemi duke jetuar vetëm në dimensionin tonë.
Në njërin, në fakt në të dytin, nga të katër që na janë dhënë si pronë.
I pari dimension është ai në barkun e së mirës nënë.
I dyti, ky yti e imi, në këtë trup lëkure që na shërben si mjet banimi.
I treti më është i vërteti, kur të mirët kanë të drejtë të thonë se po jetojnë.
E i katërti dimension është parajsa kur mirësitë i miri nis e i shijon…

Përndryshe…
Po, është e vërtetë se pak jam venitur.
Po ia lehtësoj rrugëtimin vdekjes, gjegjësisht jetës.
Për mua është njësoj.

Kam njëjtësuar, pa u çoroditur, pezmin me ngazëllimin,
kamjen me skamjen dhe humbjen me fitimin.
Pra, i kam njëjtësuar, por nuk i kam betonuar!
I kam vënë në një linjë, që të marr të duhurën, tjetrën ta lë.
… që me lëvizje të mos ma qesin zërin, po që t’i lëviz me një zë!
Ë?
A e kuptuam edhe këtë?

Nuk i thërras e uroj keqbërësit, po as nuk po i mallkoj.
Janë ata shpirtshkretë që po më ndihmojnë vetveten të lartësoj…

Lumturinë time e kam zinxhirosur te lumturia e të tjerëve,
kurse në zemër u kam lënë vend ngushëllimi të mjerëve.
Gjithsaherë në të kam dikë që ka ndonjë dhimbje.
Gjithnjë herë më shpon ndokush, e herë më zjarron me prush.
Por kjo më përmbush. Unë për vete bëj dy përpjekje me secilin prej tyre:
Përpjekja e parë është qoshet e buzëve t’ua drejtoj nga poshtë në drejt.
E dyta është t’ua rishtrembëroj tash nga drejt në lart sa më shpejt!

Së fundmi, të kuptohemi, mos i thirr sprovat, por as mos u pikëllo për to!
Shikoje kalendarin në cilën stinë je dhe për të përgatitu e jeto!
Secilës stinë të jetës bëja hyzmetin që i takon!
Nëse dëshiron të dish një zemër kujtoja vdekjen dhe shihe si po reagon.
Nëse meket e sysh lot rrjedhon, ajo zemër është e gjallë dhe frymëzon.
Nëse tërbohet a tallet, syri i tij nuk loton, e nga ajo më mirë nuk pikon.
Se peshkut që i ndërpritet uji i detit bëhet mish dhe ka shije të mirë,
por zemrës që i ndërpritet uji i syrit nuk mbetet mish, po qelbësirë!

 

Arsim Jonuzi

21 janar 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here