Mysafir i vdekjes

0
79
mysafir i vdekjes

Vdekatar!
O vdekatar! Si je? Si ke qenë? Mirë? Shumë mirë.
E si do të jesh? Jo. Mos ma thuaj. E di.
E di se si do të jesh. Ti, në fakt, nuk do të jesh.
Unë, ti dhe çdo vetë e tretë nesër nuk do të jetë.
Pra, në kohën e ardhme folje të tashme nuk do të ketë.
Çdo folje e mbiemër për ne do t’i zgjedhojnë e lakojnë të shkuara.
Po si thua të ulemi në këtë tavolinë për nja dy fjalë të uruara…

Vdekatar!
Po të thërras me këtë emër të mbarë – dobi për të parë.
Po të thërras vazhdimisht me këtë emër të vjetër,
por që bëhet i ri te secili tjetër…
Po të thërras të shkojmë përtej një ure…
Përtej një ure që i ngjan një ylberi,
të cilit nuk ia dimë pikën e nisjes e të sosjes.
Ylberit vetëm mesin ia shohim të plotë si mëngjesin.
Ky ylber është rrugëtimi yt, o mik i vdekshëm.
Që kur linde qave gjithandej furishëm…
Që kur do të vdesësh do të të qajmë fuqishëm…
E, si thua, a dëshiron ta ndiesh pak këtë përjetim?
Ki guxim ta provosh të paktën sonte, a je trim?

A ke guxim të jesh mysafir i vdekjes?
A ke guxim ti të jesh mysafir i saj, jo ajo yti?
Se kur vdekja dëshiron të jetë mysafiri ynë,
Nuk ekziston taktikë shpëtimi që punë na kryen.
Asgjëmangut, po e përsëris, nëse na vunë sytë tis:
Mysafir i vdekjes a ke guxim të jesh?
Për një çast ta konsiderosh se vdiqe…
Për një çast zëre se nuk je as mirë, as keq.
Zëre se s’je! Zëre më shpesh se s’je,
Që të bëhesh ai apo ajo që duhet të jesh!

Vdekatar!
Një ditë vdekja do të vijë e do të na marrë gjithçka.
E meqë ashtu se ashtu do të t’i marrë, jepja!
Jepja nga një gjë çdoherë kur i shkon mysafir!
Binde se ti je më shumë se ajo që ke!
Binde se e pret krahëhapur dhe se s’je nga ajo i kapur!
Binde edhe veten se vdekjen e robëron kur ti të çlirohesh prej saj!
Pra, robëroje vdekjen duke i dhënë gjithçka prej vetes…
Dhe mbaje mend: o ti je i robëruar, o vdekja!
Nuk mund të jeni të dy të lirë apo të dy të robëruar!

Kujdesu duke qenë i gjallë t’i japësh vdekjes gjithçka!
Jeto sikur të gjitha posedimet t’ia kesh marrë me qira!
Jeto sikur gjithçka jotja asaj t’i ketë takuar!
E ti prapë shijoji posedimet, por me mendjen se ia ke huazuar!

Jepja së pari të gjitha posedimet që nuk i ke!
Dhe do të bindesh se shpirti më rehat do të të fle!
E nëse dëshiron edhe trupi të të jetë qetësuar,
Jepja edhe të gjitha ato që deri më tani i ke fituar.

Jepja çdo krijesë dhe çdo send që e ke në zemër!
Jepja çdo emër, mbiemër e përemër!

Jepja dhe binde se askush e asgjë në fund të fundit nuk të duhet,
porse ti i mban e i mirëmban ata për shkak se ti u duhesh…
Pra, binde se ty nuk të duhet askush, po se ti disave u duhesh!
Dhe vdekja pastaj, meqë as asaj nuk i duhet askush,
do të t’i kthejë të gjitha dhe, veç kësaj, ajo do të bëhet qiraxhiu yt.
Po, po, atëbotë ajo ty do të të paguajë qira.
Ti do ta dish se kur do të vijë te ti…
Mbase nuk do t’ia dish datën e ardhjes,
po do ta mësosh mënyrën se si ta presësh në çdo datë!

Arsim Jonuzi
2 dhjetor 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here