Mirë!

0
182
mire!

Mirë!

Bija ime, Mirë! Mirë se erdhe!

Të dhashë emrin tim të lexuar së prapthi, hequr një shkronjë.

Të bëra homonim me ndajfoljen që e përdorin të gjithë njerëzit pozitivë kur i pyesin se si janë.

Të emërtova në të pashquar, ashtu që me vepra të shquhesh dhe jo me nomenklaturë. T’ia fillosh mirë dhe nga zeroja.

Të dhashë këtë emër që e dinë të gjithë, por e ka pakkush, mbase askush deri më tani në listën e emrave të kombit tonë… Dhe me këtë po ta bëj me dije ty dhe gjithë botës se shpeshherë na ndodh neve njerëzve që nuk i konsiderojmë gjërat a dukuritë që i kemi më pranë vetes. Kurrën e kurrës mos e harro sidomos këtë, bija ime! Ji vigjilente ndaj të gjitha të mirave që të rrethojnë!

Bija jonë! Nëna jote dhe unë deri më tani jemi kujdesur dhe zotohemi se do të kujdesemi mirë për ty në këtë botë, e ti kujdesu për ne që të paktën në botën tjetër të jemi mirë, e në mundsh edhe në këtë. Ne ishim shkaku yt, e ti bëhu një prej qëllimeve tona, së bashkë me motrën tënde…

Mbaje këtë emër me krenari dhe bëje bosht të personalitetit tënd! Të kam dhënë detyrë të rëndë, që ta bartësh si duhet këtë emër, e shpresa ime thotë se do t’ia dalësh.

Mos e njollos! Mos e zhvat! Mos e zhvlerëso! Ruaje si xhevahirin tënd më të shtrenjtë!

Ruaje veten, ruaji prindërit e tu, ruaje familjen tënde, ruaje emrin tënd – Mirë Jonuzi, pa harruar kurrë as mbiemrin! Ruaje mendjen, ruaje zemrën, ruaje trupin dhe gjithçka tjetër në ty e rreth teje që ka vlerë!

 

Kushtuar bijës sime, Mirës (lindi më 30 nëntor 2017)

 

Arsim Jonuzi, 08.12.2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here